11.08.2015

MBNJ Leksioni i tretë

Ushtrime Planifikimi


Ushtrimi 1.

Numri aktual i vendeve te punës është 234. Si rezultat i ndryshimeve në teknologji, u shkurtuan 19 vende pune dhe u rrit shkalla e përdorimit të makinerive duke zgjatur kohën e punës nga 1 turn në 3 turne të plota. Ndërmarrja punon 365 ditë pa ndërprerje dhe punonjësit punojnë 5 ditë në javë në 52 javët e vitit.

  1. Gjeni sa do jetë numri i nevojshëm i fuqisë punëtore për periudhën në vazhdim.
  2. Çfarë vendimesh do merrni për të plotësuar nevojat me fuqi punëtore?




Ushtrimi 2.

Në një kompani me 213 punonjës, 25 janë kuadro të lartë, 45 janë kuadro të mesëm, 68 janë kuadro fillestar dhe 75 janë punëtor krahu. Si rezultat i planit të karrierës, do të promovohen 4 nga kuadrot e mesëm 7 nga kuadrot fillestar dhe 6 nga punonjësit e krahut do të bëhen kudro fillestar pasi kanë mbaruar me sukses kursin e kualifikimit. Nga ana tjetër si rezultat i blerjes së një makinerie, do shkurtohen 22 nga punonjësit e krahut pasi puna e tyre do bëhet në mënyrë automatike. 5 nga kuadrot e lartë do të largohen për një trajnim 1 vjecar jashtë shtetit, në degën e kompanisë mëmë, por është e nevojshme që të rekrutohen të tjerë pasi numri I kuadrove të lartë duhet të jetë 25. Për vitin tjetër parashikohen të nevojiten 50 kuadro të mesëm, dhe 65 kuadro fillestar.

Bëni tabelën e zëvëndësimit dhe gjeni në çfarë sektorësh ka nevoje për ndërhyrje. Cfarë alternativash jepni për të plotësuar nevojat me burime njerëzore? Cfarë faktorësh do të merrni parasysh?



Ushtrimi 3.

Një njësi prodhimi realizon katër lloje produktesh A, B, C dhe D, me sasi përkatësisht 10.000, 3.000, 140.000 dhe 14.000 njësi. Për realizimin e produkteve kërkohen përkatësisht 0.5, 1, 0.8 dhe 0.7 orë. Gjeni sa është forca e punës që nevojitet në vit për realizimin normal të procesit të prodhimit kur kompania punon cdo ditë të vitit me 1 turn.




 Southwest Airlines nuk pushon punonjësit

Në verën e vitit 2001, industria fluturimeve ajrore po kalonte probleme të shumta si rezultat i rënies së numrit të fluturimeve për punë dhe pushime. Ndërkohë Northwest Airlines kishte lajmëruar që do të bënte shkurtime drastike si në orare dhe në shërbime, ndërsa Midway Airlines deklaroi falimentimin në gusht të atij viti duke shkaktuar probleme të mëdha në trafikun ajror. Pavarësisht sa e keqe ishte situate, së shpejti kjo situatë do të përkeqësohej më tepër.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington D.C, sollën probleme në të gjithë Amerikën dhe në të gjitha degët e ekonomisë, por më shumë e vuajtën linjat e transportit ajror. Edhe pse fluksi i fluturimeve ra me rreth 20%, shumica e avionëve fluturonin me më pak se gjysmën e kapaciteit të pasagjerëve në bord. Kjo çoi në humbjen e vlerës së linjave ajrore në bursë me rreth një të tretën. Shumica e linjave ajrore u detyruan të bënin shumë shkurtime që të mbijetonin dhe si rezultat mbi 100,000 punonjës u pushuan nga American Airlines, United Airlines, US Airways, Continental Airlines, dhe America West.

Megjithatë, Southwest Airlines nuk ndoqi këtë rrugë. Pavarësisht nga uljet e ngritjet e industrisë ajrore, kjo kompani në 30 vitet e jetës së saj asnjëherë nuk ka pushuar punonjës, dhe arriti ta mbante këtë rekord edhe gjatë vjeshtës së vështirë të vitit 2001. Politika e mos pushimit nga puna është një nga vlerat kryesore ku mbështetet strategjia e burimeve njerëzore, madje një nga arësyet kryesore pse punonjësit e Southwest janë shumë besnikë, produktivë dhe fleksibël.

Produktiviteti i lartë i këtyre punonjësve ndikon në uljen e kostove të punës që mundëson dhe uljen e çmimeve që shpesh janë sa gjysma e çmimeve të ofruara nga konkurenca. Niveli i lartë i sigurisë në punë gjithashtu inkurajon punonjësit të shfaqin idetë e reja pa pasur frikën se mund të dënohen për ndonjë gabim. Southwest gjithashtu ka zbuluar që punonjës të kënaqur çojnë në rritjen e kënaqësisë së klientëve, madje ndihmojnë në rekrutimin e punonjësve të rinj kur parashikohet rritje ekonomike.

Me qëllim që të mbajë rekordin e mos largimit nga puna në 2001, drejtuesit e Southwest organizuan një mbledhje urgjente në zyrat qëndrore në Dallas për të hedhur ide si mund të ulet kostoja pa prekur numrin e punonjësve. U mor vendimi të shtyhen si blerja e avionëve të porositur, dhe rinovimi i zyrave qëndrore. Kompania nuk kishte asnjë borxh dhe për të tejkaluar këtë situatë të vështirë, përdori rreth një billion dollarë në cash që i kishte rezervë për ditët e vështira. Ky ishte një proçes i vështirë dhe mjaft i dhimbshëm për kompaninë, por siç thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë Jim Parker, “Jemi të gatshëm të pësojmë disa dëmtime, edhe rënie të vlerës së aksioneve, për të mbrojtur vendin e punës së njerëzve tanë.”


Pyetje

  1. Krahasoni reagimet e linjave të ndryshme ajrore pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001.
  2. Politika “jo largime nga puna” është një element i rëndësishëm i kulturës dhe startegjisë së kompanisë. Në çfarë mënyre, kjo strategji që në mënyrë të dukshme dëmton kompanië në afat shkurtër, sjell fitime në afatgjatë?




No comments:

Post a Comment