11.13.2013

Koha e marketingut


Nga Alban Jovani

Ka ardhur vërtetë koha e marketingut? Ka ardhur vertët koha në të cilën, çdokush që punon në këtë fushë dhe vërtëtë e ndjen, të mos kufizohet vetëm në të menduarit brenda kutisë?

Të mos qëndrojë në idenë standard në të cilën, nëse flet pastër, ngjitesh mbas dikujt dhe arrin të shesësh, atëherë je një "marketer/e" i arrirë. Këmbëngulja është një tipar i domosdoshëm jo vetëm në këtë fushë por kudo në jetë, sepse çdokush duhet të arrijë qëllimet ose ëndrrat e synuara.

Gjithçka synohet në këtë fushë është shitja, e pastër dhe e thjeshtë. Por jo domosdoshmërisht duhet të jetë kështu, duhet shkuar më tej se vetë koncepti i shitjes. Marketingu është lojë, është strategji, është studim, në të cilën përveçse duhet të jesh 3 hapa përpara, duhet dhe të mendosh përtej ‘limitëve’. Këtu hyn në funksion krijimtaria, tjetër tipar i domosdoshëm për një marketer të suksesshëm.

Mos ndoshta fusha e marketingut, nuk ka arritur ato nivele që duhet të jetë paralel me manaxhimin, pasi nuk ka treguar ende vlerat e saj?

Punonjësit që punojnë në një njësi biznesi me madhësi të cfarëdoshme, a janë të vetëdijshëm për vlerat e kompanisë, pasi në fund të fundit çdo gjë niset nga "vetja" jonë. Nëse vetë punonjësit nuk kanë dëshirën për të treguar ku punojnë apo kënaqësinë për të treguar pa patur nevojë për stimuj nga lart, se prodhojnë apo kryejnë shërbime të kompanisë së tyre, atëherë cfarë vlere ka një fushatë marketingu? Themeli ka tulla, të cilat nëse janë të brishta nuk e mbajnë mirë ndërtësën.

Ende nuk është arritur të kalohet barriera e: "perceptimit kundrejt studimit real të një tregu". Ideja është shkëndija e parë, por për të përparuar nevojitet më shumë, pasi rezultati ka për të qënë zhgënjyes ndoshta ne fund, dhe kjo shkëndije do të shuhet pa nisur ende të zhvillohet.

Më krijohet ndjesia sikur jemi ende në marketingun e vitëve 60' në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka bombardim me reklama televizive (të paktën janë të vendosura në oraret e duhura deri diku nepër televizione) por cilesia të lë për të dëshiruar, kjo ndoshta për shkak të buxhetit apo ndoshta një krijimtari e lartë nuk do ketë të njëjtin efekt.

Por mbas gjithë këtij bombardimi të sukseshëm dhe mjaft të shtrenjtë, sa është vlera reale e një produkti? Sa mendohet për më tutje? Sigurisht që ka produkte apo shërbime të cilat i kanë vlerat e duhura, mendohet për konsumatorin, por jo gjithmonë veprohet në këtë formë.

''Është e provuar tashmë që na kushton trefish fitimi i klientëve të rinj sesa mbatja e klientëve egzistues.''

Eshtë e thjeshtë të shesësh, por që të mbash konsumatorin është më e vështirë, dhe të mos flasim për një zgjerim tregu se aty krijohet një synim i pamundur.


Në ciklin e çdo njësie biznesi vjen një moment në të cilin "krijimtaria" bëhet kusht i domosdoshëm ndryshe kompania do të rrëzohet dhe do pushojë së egzistuari.

1 comment: