Sipas statistikave* në
Shqipëri faqja më e klikuar është Facebook atëherë domosdoshmërisht funksionet
e Facebook janë për tu konsideruar në fusha të ndryshme. Njëra
prej tyre është dhe rekrutimi i punonjësve. Më poshtë gjenden disa të dhëna
ndërkombëtare për çështjen në fjalë, të dhëna që mendoj janë interesante për tu
ndarë:
o
Sipas një
studimi* të rinjtë në Britaninë e Madhe janë të dehur në 76% të fotove në profilin
e tyre në Facebook.
o
Një tjetër
studim zbuloi se 50% e kandidatëve nuk do të fshinin foto/materiale nga profili
i tyre në Facebook edhe sikur ta dinin që profili i tyre do të mbikqyret nga rekrutues potencial.
o
Në
Australi 15% e rekrutimit bëhet nëpërmjet mediave sociale.
Të pyetur informalisht drejtuesit
e disa kompanive të mëdha në Shqipëri pohojnë se ato i hedhin një shikim të
shpejtë profilit të kandidatëve në Facebook. Personalisht edhe unë e bëj me
kandidatët para fazës së intervistës. Kjo më bëri që të thellohesha më tutje në
literaturë për të gjetur një lidhje mes dy proceseve.
Pyetja e parë që vlen të shtrohet
është dilema etike:
Duhet apo nuk duhet rrëmuar në profilin Facebook të një
kandidati?
Personalisht nuk mendoj që ka një
dilemë etike në këtë mes. Përsa kohë Facebook është rrjet social i hapur dhe i
krijuar me qëllimin për të ndarë të dhëna atëherë nuk ka asnjë shkelje
privatësie. Çdo informacion i lejuar në profil është informacion publik. Nga ana
tjetër të ‘kaluarit mes gjërave personale’ të një kandidati ndihmon rekrutuesin
për të marrë më shumë informacion nga gjuha e trupit në fotografi, stili i
jetës, qëndrueshmëria, arritjet, pasionet etj. Personalisht jam tifoze e
të shfytëzuarit e Facebook për të rënë në sy të rekrutuesve potencial. Më
poshtë renditen disa ‘jo’ në një profil personal, konkluzione të dala
nga shqyrtimi i profileve të dhjetra kandidatëve.
- Pseudonime të papërshtatshme. Nëse ju keni
aplikuar për një pozicion senior në financë në një kompani serioze atëherë emri:
‘’Goca nga Tirona’’ është i papërshtatshëm
- Foto të papërshtatshme. Besoj se të gjithë u
velëm nga ‘fotot Woody’ këtë verë, ose tashmë të gjithë jemi në dijeni të pllakave të banjove të shtëpive të miqve tanë në Facebook...Nëse nuk jeni kandidat për të punuar
në fushën e artit atëherë këto imazhe janë të papërshtashme pasi është shumë e
vështirë perceptimi që i njëjti person do të respektojë me përpikmëri kodin e
veshjes së kompanisë.
- Statuse/komente me përmbajtje të
papërshtatshme. Këtu bëhet fjalë për fjalorin/mënyrën e të shprehurit që nuk do
të dëshiroje që një punonjës i kompanisë të kishte.
- Vendosni të dhëna reale (ose lëreni të
paplotësuar) seksionin rreth jush. Punë si: pronar, CEO në sallë interneti,
puna tek ‘askushi’, punësimi ‘paradite pa punë, pasdite pushim’ etj etj japin
shumë feedback tek rekrutuesit. Gjithashtu plotësoni saktë institucionin arsimor ku keni kryer studimet. Rast ilustrativ është ai i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, emrin e të cilit e gjejmë të shtrembëruar në disa variante si: Fakulteti Ekonomik, Universiteti Ekonomik i Tiranës, Ekonomiku, University of Economics, Economy Faculty etj etj.
Meqënëse kompanitë serioze në
vend çdo ditë e më shumë kërkojnë që punonjësit e tyre të përfaqësojnë
denjësisht kompaninë e tyre si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve të punës
atëherë kjo kthehet në një çështje që duhet mbajtur nën kontroll.
* Alexa (website ku renditen
faqet sipas shikueshërisë)
* ZDNet study
* ZDNet study
No comments:
Post a Comment