8.28.2013

Inovacion nga halli

Duke filluar nga muaji Qershor, çdo fundjavë rregullisht kam frekuantuar plazhin e Velipojës. Këtë vit të gjithë pushuesit flisnin për investime nga komuna, kompliente e mirënjohje për këtë institucion. Me kureshtje, si çdo qytetar shkodranë por edhe si manaxhere doja të shihja si janë shpenzuar kontributet e taksapaguesve dhe si ishte shpërndarë buxheti. Është asfaltuar rruga, një segment më i vogël se 1 km dhe kjo ishte një arritje. 


Teksa njerëzit e familjarët i gëzoheshin pedonales që tashmë do të mbante makinat e 'të fortëve' larg rërës  dhe pushuesve menjëherë vura re se nuk kishte asnjë hyrje-dalje emergjence për ambulancën ose automjetet e policisë. Kur në fillim të korrikut e ngrita si shqetësim, optimist shkodranë më thanë që sdo të ketë nevojë për to... 

Hapi i rradhës ishte të përcaktonim lokacionin ku do të bënim plazhin çdo ditë, por ishte e pamundur të përdornim të njëjtin vend që përdornim prej 20 vitesh pasi nuk kishte asnjë metër katror hapësirë publike. Pa e diskutuar shumë dhe pa e ngritur si shqetësim u vendosëm në prapavijë të plazheve private, 'me popullin' ku për të shkuar deri tek bregu duhet të vishje shapka pasi distanca ishte e konsiderueshme . Për të mos përmëndur vështrimet e njerëzve që po u kaloje në 'tokën e tyne të xanun'. 

Këtë vit perceptimi im ishte që në zonën e qendrës kishte shumicë të pushuesve shqiptar nga Kosova, Maqedonia e diaspora të cilët nuk ishin të mirëorientuar në Velipojë. 

Çfarë përbënte inovacion për mua këtë verë ishte një bar i improvizuar në rërë që u shërbente pushuesve pije gjatë ditës. Deri këtu ska asnjë risi por funksionet që ushtronte ky bar sigurisht që ishin të tilla. 

Çdo ditë ky bar mundësonte që të gjendeshin 1-2 fëmijë të humbur, shërbente si info point për të gjithë pushuesit, ku drejtuesit vetë përfshiheshin në proçes. Mund ti keni parë e njohur këto persona në rrethana të tjera, unë jo, por mua këtë vit më kanë impresionuar për një anë tjetër tyren. Ergys Bamci (ish konkurent i Big Brother), Tan Dibra (organizator festash prej vitesh) dhe i gjithë stafi i barit të tyre, çdo ditë me mikrofon në dorë bënin rrugën vatje ardhje të bregut të detit për të gjetur prindërit e fëmijëve të humbur që dorëzoheshin nga pushues rastësor tek lokali. Proçesi shoqërohej gjithmonë me humor e batuta për të mbajtur lart gjendjen emocionale të fëmijëve.

Dje Velipoja u trondit me një ngjarje makabër për shumë arsye (mungesa e rojeve dhe kullave të vrojtimit në plazh, dhënia me qera një mjet lundrues në ato kushte meteorologjike, mungesa e ndihmës së parë, facilitetet dhe logjistika e munguar etj) ku nga 5 pushues që ndodheshin në varkë 2 humbën jetën. Pamjet pa çensurë të transmetuara në lajme bënë që të identifikoja përsëri staf të këtij bari në skuadrën e shpëtimit të improvizuar...

Ky është inovacion...detyrën e komunës që paguhet nga taksat tona dhe që lëshon të gjithë hapësirën publike me qera për plazhe private e kryen një bar pa asnjëlloj përfitimi monetar. 

Nga pikëpamja qytetare këtë e quaj: Inovacion nga halli!

No comments:

Post a Comment